Gjithçka nisi në vitin 2018, në një dhomë të vogël që në fakt ishte sallon berberi. Një dorë mbante gërshërët, tjetra telefonin për t’iu përgjigjur klientëve, për të marrë porosi dhe për t’i paketuar ato me kujdes. Asokohe, Lerei Music nuk ishte thjesht një emër, ishte pasioni i përbashkët për muzikën dhe dëshira për t’i shërbyer çdo klienti me përkushtim, edhe kur mjetet ishin modeste.
Shitjet online filluan të rriteshin me ritme të shpejta, bashkë me besimin që njerëzit krijonin tek ne. Dhe më pas erdhi pandemia - një periudhë sfiduese për shumë biznese, por për ne, një moment vendimtar. Brenda pak ditësh, çdo instrument që kishim në magazinë u shit.
Nuk kishte rëndësi nëse ishte një kitare akustike, klasike apo elektrike, njerëzit kërkonin tinguj, kërkonin frymë. Aty kuptuam se ajo që po ndërtonim kishte kuptim më të thellë sesa thjesht tregtia: po ndihmonim njerëzit të lidheshin më së miri me muzikën.
Në fillim ofronim një gamë të gjerë produktesh, por shumë shpejt vendosëm të fokusohemi te “mjalti” ynë më i mirë: instrumentat muzikorë.
Nga një dhomë e vogël në një hapësirë për tinguj të mëdhenj
Me kalimin e kohës, magazina jonë modeste u transformua. E sistemuam, e përshtatëm, dhe krijuam një ambient ku çdo dashamirës i muzikës tanimë mund të provonte instrumentet nga afër. Me punë të palodhur dhe me ndihmën e komunitetit që na mbështeti, krijuam një prani të fortë online.
Në rrjetet sociale u bëmë të dashur për publikun tonë, ndërsa në YouTube filluam të ndajmë këshilla dhe video falas për të gjithë ata që donin të mësonin kitarën - në shqip, për shqiptarët, me dashuri për muzikën.
Por ende nuk ishim aty ku duhej, akoma nuk kishim arritur atë çfarë klientët prisnin nga ne! Sërish, e dinim se mund të bënim më shumë...
Disa klientë që na ndiqnin online habiteshin kur na vizitonin dhe thonin me buzëqeshje: “Kur ju shohim në rrjete sociale, mendojmë se do vijmë në një dyqan gjigant!” - e kjo ishte pikërisht nxitja që na duhej për të hedhur hapin tjetër.
Sot, Lerei Music është shumë më tepër se një dyqan instrumentesh. Në hapësirën tonë të re, prej 25 metrash katrorë, në rrugë kryesore, kemi krijuar një ambient që pasqyron pasionin tonë për muzikën dhe respektin për çdo klient.
Këtu, çdo vizitor mund të eksplorojë nga afër instrumentin që i përshtatet, të ndjejë tingujt elektrizues të një kitare, të dëgjojë magjinë e një pianoje, apo të zbulojë detajet e punimeve artizanale që ruajnë shpirtin e muzikës tradicionale.
Çdo ditë, koleksioni ynë zgjerohet me instrumente të reja, duke përfshirë edhe ato të punuara me dorë nga mjeshtrit më të përkushtuar, por edhe instrumente të përdorura në gjendje të shkëlqyer për ata që kërkojnë cilësi me çmime më të përballueshme.
Jo vetëm kaq, në Lerei Music ofrojmë edhe kurse kitare për çdo grupmoshë. Riparojme kitarat tuaja.
Sot jemi krenarë që kemi ndërtuar një hapësirë rreth 100 metra katror ku muzika ndjehet, dëgjohet, frymon dhe që është bërë një shtëpi për tingujt, për pasionin dhe për artin.